Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e renditi Shqipërinë ndër vendet kryesuese të procesit të anëtarësimit në BE dhe i cilësoi hetimet ndaj zyrtarëve të lartë si dëshmi se sistemi i drejtësisë po funksionon.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, më 30 shtator, ajo vlerësoi përparimin e vendit, por kërkoi vijimin dhe zbatimin e reformave në drejtësi, kuadrin zgjedhor dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Objektivi është në horizont. Shqipëria është ndër vendet kryesuese në procesin tonë të anëtarësimit”, deklaroi von der Leyen.

Ajo theksoi se reformat duhet të sjellin ndryshime të prekshme për qytetarët dhe kërkoi angazhim përtej ndasive politike, si dhe dialog të vazhdueshëm me shoqërinë.

E pyetur për hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, presidentja e Komisionit dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë provë që sistemi po funksionon”, tha ajo, duke i konsideruar këto zhvillime si fuqizim të sistemit gjyqësor.

Von der Leyen njoftoi se Shqipëria ka përmbushur mbi 80% të reformave të Planit të Rritjes dhe ka marrë më shumë se 213 milionë euro nga BE-ja. Pagesa të tjera priten në javët në vijim.

Ajo veçoi përfitimet nga SEPA, duke thënë se komisionet e transaksioneve në Shqipëri kanë rënë me më shumë se 90%. Një tjetër objektiv është ulja e tarifave të roaming-ut mes Shqipërisë dhe BE-së.

Presidentja e Komisionit premtoi se do të rikthehet në Tiranë ditën kur të nisë roaming-u falas, nëse negociatat me BE-në dhe kompanitë përfundojnë me sukses.

Për anëtarësimin, von der Leyen tha se Komisioni do të paraqesë javën e ardhshme rishikimet e politikave të zgjerimit. Për vendet që kanë përparuar më shumë, përfshirë Shqipërinë, do të hartohen udhërrëfyes me detyra, hapa dhe afate konkrete.

“Proces i bazuar në merita nuk do të thotë domosdoshmërisht një proces i ngadaltë”, theksoi ajo. Në konferencë nuk u shpall një datë për anëtarësimin e Shqipërisë.

E pyetur për kufizime të mundshme të të drejtave të anëtarëve të rinj, ajo tha se propozimet janë ende në përgatitje. Kujtoi se edhe traktatet e mëparshme kanë përmbajtur masa sigurie, me qëllim që angazhimet të respektohen edhe pas hyrjes në BE.

Rama mbrojti qëndrimin e tij kundër vetos në Bashkimin Europian. Ai e cilësoi mekanizëm të tejkaluar dhe tha se Shqipëria ka qenë disa herë viktimë e përdorimit të saj.

Në pjesën për drejtësinë, kryeministri përsëriti se përgjegjësia e tij politike është të garantojë vazhdimin e reformës dhe të luftës kundër korrupsionit. Ai kundërshtoi idenë se emërimi i një zyrtari e bën automatikisht përgjegjës për shkeljet që ai mund të kryejë më pas.

Për çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH-it Vlora Hyseni, Rama tha se gjykata duhet të përcaktojë nëse janë cenuar siguria kombëtare apo besueshmëria ndaj partnerëve.

Ai deklaroi se deri tani asnjë partner nuk ka përcjellë shqetësimin për cenimin e sigurisë apo besueshmërisë që ngrihet në debatin publik. Sqaroi gjithashtu se deklarata e tij për partnerë që kishin mbetur “pa fjalë” i referohej shërbimeve partnere të sigurisë dhe mënyrës së trajtimit të çështjes, jo aleatëve politikë.

Rama kërkoi që prokurorët të vijojnë hetimet të patrazuar dhe gjykata të vendosë e pandikuar.

Kryeministri njoftoi edhe vënien në funksion në ditët e ardhshme të platformës “Pasqyra”, ku do të publikohen dokumentet për projektin e madh të investimit të diskutuar publikisht. Ai tha se së shpejti pritet studimi i thelluar mjedisor.

Vizita e von der Leyen do të vijojë më 1 tetor në shkollën “Emin Duraku”. Presidentja e Komisionit kujtoi se përmes programit “BE për Shkollat” janë rindërtuar ose rikonstruktuar 63 shkolla pas tërmetit të vitit 2019.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu