
Presidenti amerikan Donald Trump ka përshkallëzuar përplasjen me mediat, duke u ndaluar gazetarëve të CNN, Politico dhe MS NOW hyrjen në Shtëpinë e Bardhë.
Vendimi nisi të zbatohej të shtunën, kur gazetarë të tre mediave tentuan të hynin në kompleks, por zbuluan se akreditimet e tyre ishin çaktivizuar.
Gazetarja e MS NOW, Akayla Gardner, deklaroi se karta e saj nuk funksionoi në hyrje dhe më pas iu mor nga oficeri i sigurisë. Të njëjtën situatë raportuan CNN dhe Politico, ndërsa gazetarëve të tyre iu revokuan lejet e hyrjes.
Trump kishte njoftuar një ditë më parë se tre mediat nuk do të lejoheshin më në Shtëpinë e Bardhë, duke i akuzuar se publikojnë “trillime ose gënjeshtra” për administratën e tij.
I pyetur për arsyen e vendimit, presidenti amerikan tha se shkaku ishte grumbullimi i raportimeve gjatë viteve të fundit dhe i cilësoi mediat në fjalë si “fake news”. Trump paralajmëroi gjithashtu se lista mund të zgjerohet, duke përmendur kritikisht edhe New York Times dhe Washington Post.
CNN, Politico dhe MS NOW e kanë kundërshtuar masën, duke pretenduar se ajo cenon të drejtat e garantuara nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane dhe lirinë e shtypit.
Edhe Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë kërkoi rikthimin e menjëhershëm të aksesit, duke argumentuar se një media nuk duhet të përjashtohet për shkak të përmbajtjes së raportimeve të saj.
Përplasja shënon një tjetër kapitull në konfliktin mes Trump dhe disa prej mediave më të mëdha amerikane, ndaj të cilave presidenti ka ngritur vazhdimisht akuza për raportim të njëanshëm ose të rremë.






