
Administrata Doganore ka miratuar një manual të ri për vlerësimin e automjeteve që importohen në Shqipëri, duke ndryshuar disa nga kriteret që përdoren gjatë zhdoganimit.
Risia kryesore është përfshirja e kilometrazhit të automjetit si një nga elementet që mund të ndikojnë në përcaktimin e vlerës së tij. Kilometrat e përshkuara do të vlerësohen së bashku me karakteristikat e tjera teknike të makinës.
Megjithatë, dokumenti kryesor për përcaktimin e vlerës doganore mbetet fatura e blerjes. Në metodën e parë të vlerësimit, Dogana do të mbështetet te vlera e transaksionit, e dokumentuar përmes faturës dhe konfirmimit bankar të pagesës.
Nëse vlera nuk mund të përcaktohet në këtë mënyrë, do të aplikohen me radhë metodat e tjera të parashikuara në manual. Vetëm nëse këto metoda nuk mund të përdoren, Dogana mund t’u referohet si të dhëna mbështetëse çmimeve reale të publikuara online dhe buletineve të specializuara.
Ndryshimet nuk do të aplikohen njësoj për të gjitha automjetet. Për makinat e prodhuara më shumë se 10 vjet përpara vitit aktual, mënyra e vlerësimit nuk ndryshon dhe do të vazhdojë praktika e deritanishme.
Manuali i ri synon që vlera doganore të jetë sa më afër gjendjes dhe karakteristikave reale të automjetit në momentin kur ai hyn në Shqipëri.






