Policia e Kosovës ka sekuestruar një arsenal armësh dhe materiale të tjera gjatë një operacioni të zhvilluar në komunat e Leposaviqit dhe Vushtrrisë, ku mes sendeve të gjetura ishte edhe një flamur me mbishkrimin provokues “Kosovo je Serbia”.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u zhvillua më 8 korrik nga zyrtarët e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Mitrovicën e Veriut, në bashkëpunim me hetuesit e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, pas informacioneve se një person me inicialet A.A. (1997) posedonte armë ilegale.

Gjatë kontrolleve në dy lokacione në Leposaviq dhe një në Vushtrri, policia gjeti dhe sekuestroi:

  • një armë automatike AK-47;
  • një karikator me 30 fishekë;
  • një pistoletë me gaz me karikator;
  • dy bomba tymuese;
  • një flamur me mbishkrimin “Kosovo je Serbia”.

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e procedimit penal për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I dyshuari është intervistuar nga autoritetet dhe, me vendim të prokurorit, është lënë i lirë në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës theksoi se mbetet e angazhuar në luftën kundër armëmbajtjes pa leje dhe u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të dyshimtë përmes numrit emergjent 192.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu