
Shtetet e Bashkuara kanë nisur një valë të re sulmesh ushtarake ndaj Iranit, vetëm një ditë pas operacionit të gjerë të zhvilluar kundër objektivave iraniane. Mediat shtetërore iraniane raportojnë për shpërthime në disa zona përgjatë bregdetit jugor të vendit, ndërsa Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) konfirmoi se operacioni është në zhvillim.
Sipas CENTCOM, sulmet janë ndërmarrë me urdhër të presidentit Donald Trump dhe synojnë të dobësojnë aftësinë e Iranit për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Autoritetet amerikane i lidhin sulmet me ato që i cilësojnë si agresione të pajustifikuara ndaj anijeve tregtare dhe ekuipazheve civile që kalojnë në këtë rrugë strategjike detare.
Mediat iraniane raportojnë se sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar në Bandar Abbas, ndërsa shpërthime janë dëgjuar edhe në zonat e Konarakut, Chabaharit dhe në ishullin Abu Musa. Agjencia gjysmëzyrtare Fars njoftoi se disa predha kanë goditur ishullin Abu Musa dhe zona të tjera në jug të vendit.
Pak orë para sulmeve, Donald Trump kishte paralajmëruar se SHBA do ta godiste Iranin “shumë fort” nëse do të vazhdonin sulmet ndaj anijeve tregtare.
“Nëse ndodh përsëri, do të jetë shumë më keq”, shkroi presidenti amerikan në rrjetin Truth Social.
Një zyrtar amerikan, i cituar nga Reuters dhe Axios, deklaroi se operacioni i ri është më i gjerë se ai i së martës, kur SHBA goditi mbi 80 objektiva iraniane, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë bregdetarë, kapacitete raketore kundër anijeve dhe mjete të Gardës Revolucionare.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi reagoi duke deklaruar se Irani nuk do t’u përgjigjet fyerjeve me fyerje.
“Nuk i përgjigjemi vulgaritetit me vulgaritet, por me veprim, pa frikë dhe me guxim”, shkroi ai.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u bëri thirrje të dyja palëve të rikthehen urgjentisht në tryezën e negociatave, duke paralajmëruar se një rikthim në një konflikt të plotë do të kishte pasoja katastrofike për rajonin, ekonominë botërore dhe sigurinë ndërkombëtare.






