
Koalicioni VLEN ka reaguar pas incidentit të ndodhur në pikën kufitare të Qafë Thanës, duke deklaruar se koordinatori i grupit parlamentar, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani, janë ndaluar për rreth një orë nga autoritetet shqiptare, pa marrë një shpjegim zyrtar.
Sipas njoftimit të VLEN-it, tre zyrtarët udhëtonin me pasaporta diplomatike kur u ndaluan në kufi. Partia pretendon se policia kufitare u ka komunikuar jozyrtarisht se ndaj tyre ekzistonte një ndalim hyrjeje, por pa u paraqitur asnjë vendim apo dokument zyrtar.
“Nuk na është bërë i ditur asnjë arsyetim apo bazë ligjore për këtë veprim”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Koalicioni u ka kërkuar autoriteteve të Republikës së Shqipërisë të sqarojnë nëse ekziston një masë e tillë, kush e ka marrë vendimin, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat kanë qenë arsyet konkrete të ndalimit të përfaqësuesve të saj institucionalë.
“Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime”, thuhet në deklaratën e VLEN-it.
Më herët gjatë mbrëmjes, organizatorët e protestës në Tiranë pretenduan se disa deputetë nga Maqedonia e Veriut, të cilët synonin të merrnin pjesë në tubim, ishin penguar të hynin në territorin shqiptar. Sipas raportimeve të mediave maqedonase, pas ndalimit në Qafë Thanë, tre zyrtarët vendosën të ktheheshin mbrapsht në shenjë proteste.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, autoritetet shqiptare nuk kanë dalë me një reagim zyrtar lidhur me pretendimet e ngritura nga VLEN.






