Një turist shqiptar është mbajtur për 20 ditë në Qendrën e Paraburgimit për Riatdhesim (CPR) në Bari të Italisë, për shkak të një ngatërrimi identiteti, ndonëse dokumentacioni i tij ishte i rregullt.

Rasti është bërë publik nga gazeta italiane “La Repubblica”, e cila raporton se ndaj shtetasit shqiptar ishte marrë edhe një vendim dëbimi nga territori italian.

Ngjarja nisi më 26 shkurt 2026, kur shqiptari u ndalua për verifikim në Modena, vetëm dhjetë ditë pasi kishte hyrë ligjërisht në Itali.

Autoritetet dyshohet se e kishin ngatërruar me një person tjetër me të njëjtin emër dhe mbiemër, i cili rezultonte se kishte hyrë në Itali në vitin 2014 dhe qëndronte në mënyrë të parregullt.

Pavarësisht vulës së hyrjes në pasaportën biometrike, turisti u transferua në qendrën e riatdhesimit në Bari, ku qëndroi për rreth 20 ditë.

Avokatja Uljana Gazidede arriti të siguronte lirimin e tij, pasi paraqiti dokumentacionin që provonte ligjshmërinë e qëndrimit.

Më 23 tetor, gjykata në Modena anuloi edhe urdhrin e dëbimit. Shqiptari kishte të drejtë të qëndronte në hapësirën Schengen deri në 90 ditë pa vizë.

“Mjaftonte të hapej pasaporta, të lexohej data dhe të krahasohej me atë të shkruar në dekret”, deklaroi avokatja.

Turistit shqiptar iu deshën tetë muaj beteje ligjore për t’i njohur një të drejtë që e kishte që në ditën e parë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu