
Qeveria po përgatitet të kalojë në një sistem tërësisht digjital të vendosjes së gjobave, duke eliminuar gradualisht përdorimin e formularëve në letër.
Kryeministri Edi Rama njoftoi këtë të martë se qytetarët do të marrin njoftim të menjëhershëm për gjobat përmes platformës e-Albania, ndërsa pagesa dhe apelimi i tyre do të mund të kryhen drejtpërdrejt nga telefoni.
Sistemi i ri synon të garantojë gjurmueshmërinë e plotë të procesit, përmes një numri unik për çdo gjobë, identifikimit të punonjësit që e vendos atë dhe përcaktimit të qartë të bazës ligjore.
Sipas kryeministrit, hapi i radhës do të jetë krijimi i Regjistrit Kombëtar të Gjobave.
Kamera trupi për policët dhe inspektorët
Rama paralajmëroi gjithashtu nisjen e një projekti për pajisjen me kamera trupi të të gjithë punonjësve të policisë dhe inspektorëve që ushtrojnë detyrën në terren.
“Së shpejti nis edhe zbatimi i projektit për pajisjen e të gjithë punonjësve të policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera trupi që do jenë aktive gjithë kohës”, deklaroi kryeministri.
Rama nuk dha një datë konkrete për përfundimin e digjitalizimit të gjobave apo pajisjen e punonjësve me kamera.






