
Gjatë një konference për shtyp, Berisha ftoi demokratët dhe qytetarët e të gjitha bindjeve politike të marrin pjesë në tubim, të cilin e cilësoi si protestën më të fuqishme që ka njohur vendi.
“Jam sot para jush për të bërë thirrje demokrateve dhe demokratëve, qytetarëve të mbarë Shqipërisë, ditën e shtunë në orën 12:00, në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi, në mbështetje të revoltës studentore”, deklaroi Berisha.
Kryedemokrati vlerësoi protestat e studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës, duke i cilësuar si një përballje të fuqishme me qeverinë e Edi Ramës.
“Revolta studentore dhe e gjimnazistëve të Tiranës është shndërruar në shpresën e madhe të mbarë shqiptarëve”, u shpreh ai.
Berisha pretendoi se protestat kanë fituar mbështetje të gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa akuzoi Policinë për dhunë ndaj të rinjve gjatë tubimeve.
Sipas tij, protesta e së shtunës duhet të shërbejë si një moment bashkimi për të gjithë qytetarët që kundërshtojnë qeverinë.
“E shtuna është dita që fton çdo shqiptar të rreshtohet përkrah tyre. Përkrah bijve dhe bijave të qytetarëve të këtij vendi, përkrah trimave, guximtarëve”, tha kreu i PD-së.
Gjatë konferencës për shtyp, Berisha ashpërsoi tonet ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi për sjellje autoritare dhe për përpjekje për të shtypur kundërshtimin politik.
Ai e krahasoi qëndrimin e Ramës ndaj kundërshtarëve me praktikat e diktaturës komuniste, duke përdorur një gjuhë të ashpër politike.
Në përfundim, lideri i opozitës theksoi se bashkimi i qytetarëve është mënyra më e sigurt për të arritur largimin e kryeministrit.
“Bashkimi i të gjitha forcave, përpjekjeve, kundër kësaj të keqeje, është rruga më e sigurt e largimit sa më shpejt të saj”, deklaroi Berisha.
Thirrja për protestën e së shtunës u bë gjatë konferencës për shtyp të kreut të Partisë Demokratike, në vijim të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve në kryeqytet.






