Zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 rrezikojnë të përballen me probleme ligjore dhe organizative nëse partitë politike nuk miratojnë brenda këtij viti ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor. Paralajmërimi vjen nga kryekomisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili kërkon që legjislacioni zgjedhor të përshtatet urgjentisht me ndarjen e re administrativo-territoriale.

Pas dekretimit të hartës së re territoriale nga presidenti Bajram Begaj, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u ka kërkuar forcave politike të mos humbasin më kohë, pasi çdo vonesë mund të ndikojë drejtpërdrejt në organizimin e procesit zgjedhor.

“Këto ndryshime do të duhej të kishin shkuar bashkë me hartën territoriale. Nëse këto ndryshime shkojnë përtej fundit të këtij viti, jo vetëm nga pikëpamja praktike do të krijohet problem për KQZ-në, por mund të lindin edhe probleme të karakterit ligjor”, deklaroi Celibashi.

Harta e re territoriale kërkon ndryshimin e rregullave zgjedhore

Sipas kreut të KQZ-së, reforma territoriale ka krijuar nevojën për rishikimin e disa dispozitave të Kodit Zgjedhor, veçanërisht atyre që lidhen me përfaqësimin në pushtetin vendor.

Ndryshimet duhet të përcaktojnë mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiakë, kriteret për numrin e këshilltarëve dhe përfaqësimin e njësive të ndryshme territoriale brenda bashkive të reja.

Celibashi theksoi se këto çështje duhej të ishin zgjidhur paralelisht me miratimin e reformës territoriale, por ende ka kohë që partitë politike të ndërhyjnë.

Ai kërkoi që ndryshimet të miratohen sa më shpejt, në mënyrë që KQZ-ja të ketë kohën e nevojshme për zbatimin e tyre përpara zgjedhjeve.

Celibashi kërkon masa kundër ndikimit të shtetit në zgjedhje

Përtej përshtatjes së Kodit Zgjedhor me hartën e re, kryekomisioneri ngriti edhe çështjen e rolit të administratës shtetërore gjatë fushatave elektorale.

Sipas tij, reforma zgjedhore duhet të sjellë rregulla më të qarta dhe mekanizma më efikasë kontrolli për të parandaluar ndikimin e institucioneve shtetërore në procesin zgjedhor.

“Çështjet prioritare janë ato që kanë të bëjnë me rolin e shtetit në përgjithësi në procesin zgjedhor. Ndryshimet duhet të synojnë rregulla më të qarta për efikasitet dhe mekanizma kontrolli dhe mbikëqyrjeje”, tha Celibashi.

Ai theksoi se masat duhet të jenë efektive dhe të verifikueshme, në përputhje me rekomandimet e raporteve ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve.

Votimi elektronik, KQZ kërkon zgjerimin, PD kundërshton

Një tjetër çështje që vijon të ndajë mazhorancën dhe opozitën është përdorimi i teknologjisë në zgjedhje.

KQZ-ja mbështet zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik në sa më shumë bashki gjatë zgjedhjeve të 9 majit.

Por Partia Demokratike ka shprehur kundërshtime, duke ngritur pretendime për sigurinë e sistemit.

Celibashi i konsideroi të pabazuara këto pretendime, por pranoi se qëndrimi i forcës kryesore të opozitës nuk mund të shpërfillet.

“PD është partia kryesore e opozitës dhe është fakt që s’mund ta injorojmë qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje. Shkaqet dhe pretendimet e PD-së në lidhje me sigurinë e këtij sistemi nuk qëndrojnë”, deklaroi ai.

Kreu i KQZ-së i bëri thirrje mazhorancës të nisë komunikimin me Partinë Demokratike dhe forcat e tjera politike për të arritur një marrëveshje mbi zgjerimin e votimit elektronik.

Zgjedhjet e 9 majit, provë për standardet e Bashkimit Europian

Celibashi e lidhi rëndësinë e zgjedhjeve vendore të vitit 2027 edhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Sipas tij, vendi duhet të garantojë një proces zgjedhor që përmbush standardet e Bashkimit Europian, pasi mangësitë në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve nuk do të kalojnë pa u vënë re.

“Duhet ta kalojmë këtë provë me sukses të plotë. Nuk besoj se dikush do të mbyllë sytë nëse zgjedhjet në Shqipëri nuk do të marrin certifikatën sipas standardeve të BE-së”, theksoi kryekomisioneri.

Reforma territoriale, PS kërkon komision të ri, PD refuzon pjesëmarrjen

Ndërkohë, debati politik për reformën territoriale vazhdon edhe në Kuvend.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar ngritjen e një komisioni të posaçëm për fazën e dytë të reformës, e cila do të përqendrohet te kompetencat e bashkive, financat dhe shërbimet vendore.

Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në këtë komision, duke argumentuar se kërkesat e saj gjatë punës së komisionit të mëparshëm nuk janë marrë parasysh.

Në këto kushte, KQZ-ja kërkon që mosmarrëveshjet politike të mos pengojnë ndryshimet ligjore që duhen për organizimin e zgjedhjeve vendore.

Afati që Celibashi u ka vendosur politikisht partive është fundi i vitit 2026, ndërsa zgjedhjet e 9 majit 2027 do të jenë testi i parë elektoral për zbatimin e ndarjes së re territoriale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu