Një ngjarje tragjike ka tronditur Tiranën në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, 14 tetor. Një 35-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës së prindërve të bashkëjetueses së tij, duke shkaktuar vdekjen e të dy bashkëshortëve.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30, në banesat sociale në rrugën “Ali Shefqeti”, në zonën e Shkozës.

Viktimat janë identifikuar si Agim Ziu, 68 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Ismete Ziu, 65 vjeçe, të cilët ndodheshin brenda banesës kur shpërtheu zjarri.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë së Shtetit, autor i dyshuar i zjarrvënies është Astrit Idrizi, 35 vjeç, bashkëjetuesi i vajzës së çiftit.

Pas njoftimit për zjarrin, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, ndërsa dy bashkëshortët u transportuan në spital.

Pavarësisht përpjekjeve për t’u shpëtuar jetën, 65-vjeçarja dhe 68-vjeçari nuk arritën t’u mbijetonin dëmtimeve të shkaktuara nga zjarri.

Ekspertët kriminalistë dhe specialistët e hetimit të zjarrvënieve kryen veprimet e para në vendngjarje, nga të cilat lindën dyshimet se zjarri ishte vënë qëllimisht.

Policia arrestoi 35-vjeçarin Astrit Idrizi, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura motivet që mund ta kenë shtyrë drejt këtij veprimi.

Hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes, motivin e dyshuar dhe përgjegjësinë penale të të arrestuarit.

Tragjedia në Shkozë ka lënë të vdekur dy pjesëtarë të së njëjtës familje, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur çfarë ndodhi gjatë natës në banesën e çiftit Ziu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu