Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama dorëheqjen e menjëhershme, duke paralajmëruar se kriza politike dhe protestat e studentëve do të përshkallëzohen. Në një takim me drejtuesit e degëve të PD-së në Tiranë, Berisha deklaroi se opozita do t’i mbështesë studentët me të gjitha format dhe mundësitë, ndërsa akuzoi qeverinë për dhunë ndaj protestuesve.

“Ne studentët nuk i lëshojmë, ne do t’i mbështesim ata me të gjitha format dhe mundësitë. Edi Rama nuk do të ndeshet vetëm me studentët, do të ndeshet me të gjithë opozitën, me të gjithë qytetarët”, deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve akuzoi kryeministrin se ka urdhëruar ndërhyrje të dhunshme të policisë ndaj studentëve, duke pretenduar se brutaliteti i forcave të rendit ka tejkaluar edhe atë të protestave të dhjetorit 1990.

“Reagimi brutal i Edi Ramës ndaj studentëve, unë i them çdo shqiptari, tejkalon absolutisht, meqenëse kam qenë dëshmitar në atë protestë, brutalitetin e sampistëve, forcave të Sigurimit dhe Policisë së Shtetit në protestën e 8 dhe 9 dhjetorit”, u shpreh ai.

Berisha pretendoi se mbi 50 studentë dhe qytetarë janë plagosur gjatë përplasjeve, disa prej tyre me fraktura dhe dëmtime në kokë. Këto shifra u paraqitën prej tij, pa u shoqëruar në deklaratë me një bilanc zyrtar spitalor.

Sipas kryetarit të PD-së, pakënaqësia e studentëve lidhet me kostot e larta të jetesës, vështirësitë për strehim, mungesën e mundësive ekonomike dhe premtimet e pambajtura të qeverisë.

Ai përgëzoi drejtuesit, deputetët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike për angazhimin në protesta, duke u bërë thirrje të gjithë demokratëve të rreshtohen në krah të studentëve.

“Çdo njëri prej jush, çdo anëtar, çdo mbështetës i PD duhet të gjendet në anën e studentëve në këtë orë të historisë”, deklaroi Berisha.

Në përfundim, kreu i opozitës i drejtoi Ramës një paralajmërim të fortë, duke sjellë në vëmendje ngjarjet e dhjetorit 1990 dhe frikën e udhëheqjes komuniste nga një skenar i ngjashëm me rrëzimin e regjimit të Çausheskut në Rumani.

“Jep dorëheqjen se historia ka provuar që ata që nuk kanë ditur të japin dorëheqjen, e kanë pësuar në mënyrën më fatale”, tha Berisha.

Ai këmbënguli se largimi i menjëhershëm i kryeministrit është rruga për daljen nga kriza, ndërsa paralajmëroi vijimin e mbështetjes së opozitës për protestat studentore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu