Për të dytën ditë radhazi, protesta në Tiranë është përshkallëzuar në dhunë. Persona me fytyra të mbuluara kanë sulmuar Ministrinë e Arsimit me gurë, molotovë dhe fishekzjarre, kanë shkulur kangjellat dhe kanë shqyer derën e institucionit, ndërsa policia ka ndërhyrë me ujë dhe gaz lotsjellës.

Tensionet nisën përpara orarit të paralajmëruar të protestës, e cila ishte planifikuar për në orën 14:00 të kësaj të mërkure, 14 tetor.

Rreth mesditës, grupe protestuesish të maskuar nisën të godisnin godinën e Ministrisë së Arsimit me gurë dhe të shkulnin kangjellat metalike e pllakat e trotuarit.

Në pamjet e publikuara nga mediat, një grup protestuesish shihet duke goditur me kangjella derën e ministrisë, deri në hapjen e saj.

Situata u tensionua më tej kur u hodhën molotovë dhe fishekzjarre drejt institucionit dhe forcave të rendit. Në rrugë u vendosën kosha mbeturinash dhe kangjella metalike, të cilat u përdorën si barrikada për të penguar lëvizjen e autobotit të policisë.

Disa koshave dhe një tabele reklamash iu vu flaka, ndërsa qarkullimi në zonën e Rrugës së Durrësit u bllokua.

Sipas raportimeve nga vendngjarja, me gurë u goditën edhe efektivët e policisë dhe gazetarët që po ndiqnin protestën.

Pas incidenteve, policia ndërhyri me autobotë uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Të paktën dy persona u raportuan të shoqëruar gjatë ndërhyrjeve të para.

Policia e Shtetit u bëri thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmonin punonjësit e policisë dhe po dëmtonin pronën publike e private.

“E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet”, theksoi policia, duke paralajmëruar përgjegjësi penale për personat që kryejnë veprime të kundërligjshme.

Ndërkohë, protesta u parapri nga bojkotimi i mësimit në disa fakultete të Universitetit të Tiranës, përfshirë Mjekësinë, Drejtësinë, Ekonomikun dhe Politeknikun.

Studentë të Mjekësisë marshuan drejt Fakultetit të Shkencave të Natyrës, duke u kërkuar bashkëmoshatarëve të linin auditorët dhe t’i bashkoheshin protestës.

“Kërkojmë drejtësi për protestuesit e djeshëm. Duam kushte më të mira, nuk kemi laboratorë për të kryer mësimin”, deklaroi një studente e Mjekësisë për Report TV.

Bojkot pati edhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ndërsa në Vlorë studentë shprehën mbështetje për protestën, por pa ndërprerë mësimin.

Në Tiranë, nxënës të gjimnazit “Partizani” bojkotuan mësimin dhe dogjën kosha mbeturinash në Rrugën e Dibrës, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin.

Gjatë protestës u regjistrua edhe një incident ku një pjesëmarrës u dëmtua në ballë dhe u ndihmua nga deputeti demokrat Bardh Spahia. Në një tjetër moment, disa protestues lëshuan thirrje edhe kundër Partisë Demokratike.

Protestat e 14 tetorit pasojnë përplasjet e një dite më parë, kur demonstruesit sulmuan Ministrinë e Arsimit dhe më pas u zhvendosën drejt Bashkisë së Tiranës, ku u dëmtua dera hyrëse dhe disa persona hynë në godinë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu