Një shaka mes dy kamarierëve dyshohet se është kthyer në tragjedi në një restorant në Arrameras të Fushë-Krujës, ku humbi jetën 16-vjeçari Enes Isaku. Detaje të reja kanë dalë në dritë për ngjarjen, për të cilën policia ka arrestuar kolegun e viktimës dhe pronarin e lokalit, që rezulton të jetë edhe gjyshi i të miturit.

Sipas informacioneve paraprake, Enes Isaku dhe kamarieri 26-vjeçar Endri Stafuka po bënin shaka me njëri-tjetrin, ndërsa i mituri po përgatitej të zbriste në katin e parë të restorantit me ashensor.

Në këtë moment, 26-vjeçari dyshohet se e ka shtyrë me duar kolegun e tij brenda ashensorit dhe më pas ka shtypur butonin për ta nisur drejt katit të poshtëm.

Por vetëm pak çaste më vonë, ashensori është shkëputur dhe ka rënë, duke bërë që 16-vjeçari të përplasej fatalisht. Sipas të dhënave të raportuara, shkëputja e ashensorit ka rrezikuar edhe jetën e kamarierit tjetër.

Një tjetër detaj i rëndësishëm është se ashensori ishte përdorur pak përpara aksidentit edhe nga pronari i restorantit, 62-vjeçari Afrim Vathi, i cili është gjyshi i viktimës.

Pas ngjarjes, policia arrestoi Endri Stafukën, nën dyshimin për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.

Në pranga përfundoi edhe pronari i restorantit, Afrim Vathi, i dyshuar për “Shkeljen e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehjen e të ardhurave”.

Hetimet po përqendrohen te shkaqet e shkëputjes së ashensorit, kushtet teknike të funksionimit të tij dhe respektimi i rregullave të sigurisë në ambientet e punës.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 11 tetor dhe i mori jetën 16-vjeçarit që punonte si kamarier në restorantin e familjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu