Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas debateve që pasuan votën e tij për Reformën Territoriale, duke pretenduar se prej dy ditësh po sulmohet nga profile të rreme në internet.

“Patronazistët e oligarkut në sulm”, shkruan Braçe, duke pretenduar se profile pa emra, pa postime dhe me pak ndjekës përdoren për të sulmuar atë dhe komentues të tjerë në rrjetet sociale.

Në reagimin e tij, Braçe i referohet Agron Shehajt, duke e cilësuar “oligark” dhe duke ngritur akuza të rënda për burimin e pasurisë së tij.

Deputeti socialist i ndan pretendimet e tij në tri “cikle”. Për të parin, ai pretendon se pasuria është krijuar nga shfrytëzimi i punonjësve në bizneset e Shehajt, të cilët, sipas tij, janë paguar shumë pak.

Për ciklin e dytë, Braçe ngre pretendime për lidhje të personave të afërt të Shehajt me trafik droge në Gjermani, ndërsa për të tretin flet për shitblerje fiktive dhe fryrje artificiale të vlerës së pasurive.

Braçe pretendon gjithashtu se dokumente që lidhen me këto çështje ua ka dorëzuar më herët agjencive shtetërore, ndërsa ngre pyetjen se përse, sipas tij, nuk është vepruar.

Akuzat e ngritura nga Braçe janë deklarata të tij politike dhe në postimin e publikuar nuk shoqërohen me prova që t’i vërtetojnë. Deri tani nuk është bërë publik një reagim i Agron Shehajt ndaj këtyre pretendimeve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu