
Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja tavan për tregtimin e karburanteve në vend.
Sipas vendimit të marrë më 10 tetor, nafta do të shitet me pakicë jo më shumë se 211 lekë për litër, ndërsa benzina jo më shumë se 195 lekë për litër.
Për tregtimin me shumicë, çmimi maksimal i naftës është vendosur në 199 lekë për litër, ndërsa për benzinën në 183 lekë për litër.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi nga ora 12:30 e kësaj të shtune dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë se zbatimi i çmimeve të përcaktuara është i detyrueshëm. Në rast shkeljesh, parashikohet pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se masat synojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.






