Mbi një milion llogari bankare të individëve në Shqipëri rezultonin me pothuajse zero para në fund të vitit 2025, sipas të dhënave të përdorura në raportin që shoqëron projektligjin e ri për sigurimin e depozitave.

Nga rreth 2.93 milionë llogari bankare të individëve, 1,011,375 kishin një balancë nga 0 deri në 100 lekë. Kjo përbën rreth 34.5% të totalit, ose pak më shumë se një në çdo tri llogari.

Megjithatë, kjo shifër nuk do të thotë se mbi një milion qytetarë nuk kanë kursime. Një person mund të zotërojë disa llogari bankare dhe njëra prej tyre mund të jetë thuajse bosh, ndërsa fondet të mbahen në një tjetër.

Raporti tregon se rreth 1.78 milionë llogari kishin balancë nga 100 lekë deri në 2.5 milionë lekë. Në këtë kategori ndodheshin rreth 567.8 miliardë lekë, ose afërsisht 41% e vlerës totale të depozitave të individëve të përfshira në analizë.

Ndërkohë, vetëm 137,554 llogari kishin më shumë se 2.5 milionë lekë. Edhe pse përbëjnë vetëm rreth 4.7% të numrit të llogarive, ato mbanin rreth 819.6 miliardë lekë, ose 59% të totalit të depozitave.

Në total, depozitat e sigurueshme të individëve arrinin në rreth 1.39 trilionë lekë.

Të dhënat janë përdorur për të argumentuar ndryshimin e kufirit të sigurimit të depozitave. Aktualisht kufiri është 2.5 milionë lekë për depozitues në një bankë, ndërsa projektligji propozon që nga 1 korriku 2027 ai të rritet në 6 milionë lekë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu