
Tetë persona janë shoqëruar nga Policia e Shtetit pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar këtë të enjte para Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit disa prej pjesëmarrësve kanë shtyrë punonjësit e policisë dhe kanë hedhur në drejtim të tyre vezë, domate, gurë dhe sende të tjera.
Policia bën të ditur se protestuesve u është kërkuar disa herë, përmes megafonit, të ndalonin veprimet dhe të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit apo të bllokonin rrugën.
Pasi thirrjet nuk janë respektuar nga një pjesë e protestuesve, efektivët kanë përdorur spraj individual policor. Deri në orën 17:30, sipas Policisë së Shtetit, ishin shoqëruar tetë persona të dyshuar për veprime të dhunshme gjatë tubimit.
Policia thotë se vijon angazhimin për garantimin e rendit dhe sigurisë, si edhe të së drejtës së qytetarëve për të protestuar paqësisht, ndërsa paralajmëron se çdo veprim i kundërligjshëm do të trajtohet sipas ligjit.






