Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkon përdorimin e teknologjisë blockchain në administratën publike, duke e paraqitur atë si një instrument për rritjen e transparencës, gjurmueshmërisë së procedurave dhe luftën kundër korrupsionit.

Në takimin me temë “E ardhmja digjitale e Shqipërisë – Mundësitë e teknologjisë Blockchain”, Berisha deklaroi se teknologjia duhet të përdoret veçanërisht në sektorët ku administrimi i parave publike dhe pronës kërkon kontroll më të madh.

“Nuk ka më efikas, më të fuqishëm sesa Blockchain për të rikthyer edhe një herë Shqipërinë digjitale në realitet për të gjithë qytetarët shqiptarë”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar këtë teknologji si një nga rrugët për atë që e quajti “Shqipëria digjitale 3”.

Një pjesë të madhe të fjalës, kreu i PD-së ia kushtoi AKSHI-t. Ai akuzoi qeverinë se ka centralizuar tenderat e teknologjisë dhe pretendoi se kjo ka dëmtuar konkurrencën dhe transparencën. Berisha ngriti akuza edhe ndaj Armand Frangut, duke pretenduar se ai ka përfituar 75 milionë euro për projekte të lidhura me Inteligjencën Artificiale. Ai kritikoi gjithashtu projektin “Diella”, për të cilin deklaroi se ka kushtuar rreth 6 milionë euro.

Berisha përmendi edhe Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, ndaj të cilëve ngriti akuza lidhur me tenderat në sektorin e teknologjisë. Kreu i PD-së pretendoi se biznesmenë që merrnin pjesë në procedura prokurimi janë vendosur nën presion, ndërsa këto pretendime i lidhi me mënyrën se si, sipas tij, është administruar AKSHI.

Akuza të tjera u drejtuan ndaj sistemit të Kadastrës. Berisha deklaroi se dixhitalizimi, që duhet të garantonte sigurinë dhe transparencën e pronës, është përdorur për manipulime. Ai pretendoi se në Vlorë janë ndërruar 16 drejtues të Kadastrës dhe se 85 për qind e Kadastrës së Durrësit është manipuluar. Këto janë pretendime të kreut të PD-së të paraqitura gjatë takimit.

Berisha iu rikthye edhe periudhës së qeverisjes së tij, duke deklaruar se penetrimi i internetit ishte 4.9 për qind në vitin 2005 dhe arriti më pas në 63 për qind. Ai përmendi prokurimet elektronike, thesarin online dhe shërbimet që më vonë u integruan në e-Albania, si dhe tha se në vitin 2010 Shqipëria mori një çmim të dytë nga OKB-ja për e-prokurimin.

Sipas Berishës, teknologjia në vetvete nuk garanton transparencë nëse mungon vullneti politik. Duke sjellë Estoninë si shembull, ai tha se Shqipëria mund të ndërtojë një fazë të re të administratës digjitale, ku blockchain-i të përdoret për prokurimet, pronën dhe shërbimet publike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu