Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po shmang përgjegjësinë politike për çështjet që kanë përfshirë zyrtarë të lartë dhe institucione të qeverisjes.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi u ndal veçanërisht te rasti i ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni. Ai kërkoi nga Rama të tregojë se kush ia propozoi Hysenin fillimisht si këshilltare dhe kush loboi më pas për emërimin e saj në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Bardhi iu referua edhe deklaratës së Ramës se për Hysenin kishte marrë referenca të shkëlqyera nga shërbimet partnere, duke i kërkuar kryeministrit të bëjë publik se për cilat shërbime apo shtete bëhet fjalë.

“Dil dhe tregoju shqiptarëve cili shërbim i huaj, cili partner ndërkombëtar ta sugjeroi Vlora Hysenin me referencë të shkëlqyer dhe kush është shastisur nga veprimet ligjore të SPAK”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, kryeministri duhet të sqarojë gjithashtu se çfarë ishte verifikuar përpara emërimit të Hysenit lidhur me largimin e saj nga pozicionet drejtuese në Shërbimin Informativ të Kosovës.

Bardhi ngriti pyetje edhe për akuzat e opozitës mbi lidhjet e pretenduara të Hysenit me Ergys Agasin, duke kërkuar të dijë nëse qeveria kishte urdhëruar verifikime pas denoncimeve të bëra më herët nga opozita. Ai kërkoi gjithashtu përgjigje mbi rrezikun e mundshëm për informacionet e klasifikuara dhe operacionet e SHISH-it.

Një tjetër pikë e fortë e deklaratës ishte Reforma në Drejtësi. Bardhi kundërshtoi pretendimin e Ramës se pavarësia e drejtësisë është arritje e tij dhe e Partisë Socialiste.

“Reforma në Drejtësi ishte produkt i 140 votave në Kuvendin e Shqipërisë. Pa votën e PD, reforma në drejtësi do ishte thjesht e pamundur”, deklaroi Bardhi.

Ai theksoi gjithashtu rolin e Komisionit të Venecias, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, duke akuzuar Ramën për mosmirënjohje ndaj mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë në ngritjen e sistemit të ri të drejtësisë.

Në vijim, Bardhi renditi një sërë çështjesh të viteve të qeverisjes socialiste, nga dekriminalizimi dhe kanabisi, te koncesionet në shëndetësi, inceneratorët, AKSHI, Policia e Shtetit, akuzat ndaj Belinda Ballukut, KAYO, Tuneli i Llogarasë dhe investimet e tjera publike.

Sipas Bardhit, përgjegjësia penale për secilin rast i takon drejtësisë, por kjo nuk e përjashton qeverinë nga përgjegjësia politike për emërimet, vendimmarrjen dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve.

“Përgjegjësia penale është çështje e drejtësisë. Ndërsa përgjegjësia politike është çështje e llogaridhënies publike”, tha ai.

Në përfundim, kreu i grupit parlamentar demokrat i kërkoi kryeministrit të japë dorëheqjen, duke e akuzuar se prej vitesh përdor si justifikim përgjegjësinë individuale të vartësve sa herë që një zyrtar i qeverisë përballet me drejtësinë.

“Edi Rama, dil dhe jep llogari. Boll u fshehe pas kamerës tënde”, deklaroi Bardhi, duke e mbyllur reagimin me kërkesën: “Jep dorëheqjen!”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu