Detaje të reja janë raportuar nga hetimet e SPAK për biznesmenin Ergys Agasi dhe personat që dyshohet se e kanë ndihmuar gjatë kohës kur ai ishte në kërkim.

Sipas gazetares Anila Hoxha, në telefonin e Agasit janë gjetur komunikime me Vlora Hysenin dhe Embro Sulejmanin, të cilat i përkasin periudhës kur biznesmeni ishte në kërkim.

Hoxha tha se SPAK dyshon se Embro Sulejmani ka përkrahur Agasin. Sulejmani, i cili punonte si kryekamerier, dyshohet se e ka asistuar atë me ushqime dhe nevoja të tjera gjatë kësaj periudhe.

Sipas gazetares, hetuesit kanë dyshime se Agasi qëndronte i fshehur në zonën e vilave qeveritare në Durrës. Ajo theksoi se një pjesë e informacionit të administruar në dosje është e klasifikuar dhe publikimi i tij është kufizuar me vendim gjyqësor.

Një tjetër pistë e hetimit lidhet me Fatjon Kalluçin, shefin e Laboratorit Shkencor të Policisë. Sipas Hoxhës, SPAK dyshon se të dhëna sekrete të administruara gjatë një ekspertimi mund t’i jenë përcjellë Agasit.

Hetimet janë pjesë e zhvillimeve që lidhen me dosjen e AKSHI-t. Për ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Hoxha tha se deri në këtë fazë nuk është bërë publik një status i përcaktuar procedural.

Pretendimet janë pjesë e hetimit dhe nuk përbëjnë konstatim fajësie për personat e përmendur.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu