Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas shkarkimit të Vlora Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit.

Reagimi erdhi pasi Presidenti Bajram Begaj dekretoi shkarkimin e Hysenit, pas zhvillimeve të së martës dhe masës së sigurisë të vendosur ndaj saj nga GJKKO.

Balla deklaroi se mazhoranca nuk do të ndërhyjë në çështjet që janë në duart e drejtësisë dhe se çdo person duhet të përballet individualisht me organet e saj.

“Shumica jonë qeverisëse i mbetet besnike qëndrimit standard për të mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë. Kushdo qoftë duhet të përballet personalisht me drejtësinë dhe të marrë avokatin e vet”, deklaroi Balla.

Ai shtoi se Partia Socialiste dhe shumica qeverisëse “nuk bën avokatin e askujt”.

Sipas Ballës, shkarkimi i Hysenit i hap rrugën procedurës për zgjedhjen e një drejtuesi të ri të SHISH, ashtu siç kishte paralajmëruar më herët kryeministri Edi Rama.

Vlora Hyseni është nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” në kuadër të hetimeve të SPAK. Masa e sigurisë nuk përbën deklarim fajësie dhe ajo prezumohet e pafajshme deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu