SPAK ka dalë me njoftim zyrtar për operacionin e zhvilluar në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”, duke konfirmuar masat e sigurisë ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, si dhe kontrollin në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme të datës 21 shtator, ndaj Hysenit janë caktuar masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Ajo është person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.

Masa ndaj drejtueses së SHISH nuk është ekzekutuar, pasi ajo nuk ndodhet aktualisht në Shqipëri.

Në të njëjtin procedim penal, Gjykata ka caktuar “arrest në burg” për F.K., me detyrë përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore. Ai është nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.

“Arrest në burg” është vendosur edhe për E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, i cili është person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal. Sipas SPAK, Policia e Shtetit ka ekzekutuar dy prej tri masave të sigurisë.

Hetimi është shtrirë edhe te ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Gjykata e Posaçme ka autorizuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të tij me vendimin e datës 20 shtator.

Një tjetër vendim i GJKKO-së ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave në kryqëzimin e rrugëve “Durrësi në Shekuj” dhe “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozetit në Durrës.

Masat dhe kontrollet janë pjesë e procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, hetim që lidhet me dosjen e AKSHI-t dhe në të cilin është përfshirë edhe Ergys Agasi.

Agasi u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës. SPAK e ka nën hetim për disa vepra penale, mes tyre konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike, grup të strukturuar kriminal, pastrim të produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu