
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme, vetëm pak orë pasi agjentët e BKH-së ushtruan kontroll në banesën e tij.
Kontrolli në banesën e Prodës, në zonën e Fushës së Aviacionit në Tiranë, nisi rreth orës 07:00 dhe u krye në praninë e tij. Me urdhër të Gjykatës së Posaçme ishte autorizuar kontrolli i banesës, si dhe kontrolli personal i ish-kreut të Policisë së Shtetit.
Pas përfundimit të veprimeve në banesë, Proda është paraqitur në ambientet e SPAK. Deri tani nuk është bërë publik ndonjë njoftim zyrtar që të sqarojë statusin e tij procedural apo arsyen konkrete të thirrjes.
Më herët, SPAK i kishte sekuestruar dhe verifikuar edhe telefonin ish-drejtorit të Policisë së Shtetit.
Veprimet ndaj Prodës zhvillohen në të njëjtën ditë me një operacion të gjerë të SPAK dhe BKH, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen AKSHI. Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në disa ambiente në Tiranë dhe Durrës.
Në kuadër të hetimeve është arrestuar Fatjon Kalluci, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, si dhe biznesmeni Embro Sulejmani. Hetimet lidhen edhe me biznesmenin Ergys Agasi.
Ilir Proda ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit deri në mars të vitit 2026.






