
Një aksion i SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit është zhvilluar mëngjesin e kësaj të marte në Tiranë, në vijim të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, duke përfshirë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të institucioneve të sigurisë.
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Ajo po hetohet nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa dyshohet se i ka përcjellë informacione shtetërore biznesmenit Ergys Agasi.
BKH ka ushtruar kontrolle edhe në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe në ambiente të lidhura me ish-zyrtarë të tjerë.
Hetimet lidhen me dosjen e tenderëve të AKSHI-t, për të cilën SPAK kishte siguruar më herët masa sigurie ndaj disa personave, mes tyre biznesmeni Ergys Agasi dhe ish-drejtues të AKSHI-t.
Një nga pistat e reja të hetimit lidhet me të dhënat e gjetura gjatë kontrollit të telefonit të Agasit dhe komunikimet e tij me persona të tjerë. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.






