
Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ka sjellë reagime të shumta edhe nga faktori politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ali Ahmeti, Afrim Gashi, Ziadin Sela dhe VLEN kanë kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ndërsa kanë theksuar se beteja juridike nuk ka përfunduar.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, e cilësoi vendimin “të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes”, duke bërë njëkohësisht thirrje për maturi dhe unitet. Ai theksoi se procesi nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë dhe se mbrojtja do të vijojë betejën juridike në Apel.
“Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve. Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel”, shkroi Ahmeti.
Edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, deklaroi se, sipas tij, asnjë verdikt nuk mund të mohojë rolin historik të Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit në luftën e Kosovës. Gashi theksoi se aktgjykimi është i shkallës së parë dhe se “beteja për drejtësi vazhdon”, ndërsa bëri thirrje për qetësi, dinjitet dhe solidaritet me familjet e të dënuarve.
Kreu i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, e cilësoi vendimin si “dështim të drejtësisë”, duke nënvizuar se procesi nuk ka përfunduar. “Fjala e fundit ende nuk është thënë”, ishte mesazhi i Selës pas shpalljes së aktgjykimit.
Edhe koalicioni VLEN shprehu “keqardhje dhe indinjatë të thellë”, duke i cilësuar dënimet “të rënda dhe të papranueshme”. Sipas VLEN-it, vendimi i shkallës së parë nuk e mbyll çështjen dhe beteja juridike do të vazhdojë në procedurën e ankimit.
“UÇK-ja luftoi për liri. Kjo e vërtetë nuk rishkruhet”, thuhet në reagimin e VLEN-it, i cili shprehu gjithashtu mbështetje për familjet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Dhomat e Specializuara dënuan në shkallë të parë Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vite burg, Kadri Veselin me 18 vite dhe Rexhep Selimin me 13 vite. Të katër u shpallën fajtorë për katër akuza për krime lufte dhe të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Aktgjykimi mund të apelohet.






