
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër pas dënimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar vendimin “padrejtësi të papranueshme”.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, shkroi Kurti.
Kryeministri kundërshtoi edhe formulimin e përdorur gjatë shpalljes së vendimit se ai jepej “në emër të popullit të Kosovës”.
“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”, deklaroi ai.
Kurti theksoi se vendimi nuk është përfundimtar dhe kërkoi ndryshimin e tij në shkallën e dytë.
“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, shkroi kryeministri.
Ai u ndal edhe te akuzat që nuk u provuan gjatë procesit, duke përmendur pretendimet e mëhershme për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, për të cilat tha se Prokuroria nuk ngriti akuza për mungesë provash.
Sipas Kurtit, vendimi rrëzoi gjithashtu pretendimin se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile, ndërsa dënimet lidhen me akuza konkrete për krime lufte që tashmë do të shqyrtohen në apel.
Kryeministri kritikoi edhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara, duke argumentuar se fakti që në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarë të një etnie krijon, sipas tij, “pamjen e një drejtësie njëetnike”.
Kurti bëri të ditur se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë mbështetjen për katër ish-drejtuesit e UÇK-së gjatë fazës së apelimit.
“Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale”, deklaroi ai.
“Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo”, përfundoi Kurti.






