Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së, duke e cilësuar atë të padrejtë dhe dënimet të pamerituara.

Sali Berisha kundërshtoi vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke deklaruar se gjykata, sipas tij, përdori argumente që përsërisin propagandën serbe. Kreu i PD-së tha se veprimet e UÇK-së duhet të shihen në kontekstin e luftës kundër pushtimit dhe se qëllimi i saj ishte çlirimi i Kosovës. Berisha shprehu besimin se në Apel vendimi do të ndryshojë, duke thënë se pret që gjykata “të bëjë drejtësi” dhe të shkëputet nga ajo që ai e cilësoi propagandë serbe.

Berisha tha se kjo është “një ditë jo e mirë për shqiptarët” dhe për familjet e ish-drejtuesve të UÇK-së, ndërsa pretendoi se gjykata e shkallës së parë nuk arriti, sipas tij, të paraqiste fakte konkrete që justifikonin dënimet.

“Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë, në emër të së drejtës, ndaj ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së pretendoi gjithashtu se vendimi do të pritet me kënaqësi në Serbi.

“Me këtë rast, sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta”, tha ai.

Berisha këmbënguli se aktgjykimi nuk mund të ndryshojë, sipas tij, karakterin e luftës së UÇK-së.

“Asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi gjithashtu rolin e UÇK-së si aleate në terren e NATO-s gjatë luftës në Kosovë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu