
Gjykata Speciale në Hagë ka dhënë këtë të mërkurë vendimin ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i dënuar të katërt me burg për krime lufte.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vite burg, Jakup Krasniqi me 25 vite, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burg. Në total, dënimet arrijnë në 81 vite burg.
Trupi gjykues i shpalli penalisht përgjegjës për krime lufte që përfshijnë arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Njëkohësisht, një pjesë e rëndësishme e aktakuzës nuk u provua. Katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, që përfshinin përndjekjen, burgosjen, akte të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë.
Gjykata konstatoi gjithashtu se të akuzuarit kishin kontribuar në atë që ajo e cilësoi si një “qëllim të përbashkët kriminal”, që përfshinte shënjestrimin e personave të konsideruar kundërshtarë. Sipas vendimit të lexuar në Hagë, mes tyre kishte edhe persona të konsideruar kolaboracionistë, si dhe anëtarë të LDK-së dhe FARK-ut.
Menjëherë pas vendimit reagoi edhe kryeministri Edi Rama. Ai publikoi një imazh të Europës së rrethuar me tela me gjemba dhe vetëm një fjalë, në gegërisht: “MARRE”.
Procesi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit nisi në prill 2023. Ata ishin transferuar në Hagë në nëntor 2020 dhe të katërt kishin deklaruar pafajësinë ndaj akuzave.






