
Ka nisur në Hagë seanca për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Dhomat e Specializuara e kishin caktuar shqiptimin e vendimit për sot, 16 shtator, në orën 10:00.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së ndodhen përballë trupit gjykues pas një procesi që nisi në prill të vitit 2023. Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, akuza të cilat i kanë mohuar. Prokuroria ka kërkuar dënime prej 45 vjetësh burg për secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.
Në sallë ndodhen familjarë të të akuzuarve, përfaqësues politikë dhe media, ndërsa jashtë Gjykatës janë mbledhur mbështetës të UÇK-së. Edhe në Prishtinë qytetarë janë grumbulluar në sheshin “Skënderbeu” për të ndjekur verdiktin.
Procesi ka zgjatur afro tre vjet. Në gjykim kanë dëshmuar 134 dëshmitarë, ndërsa faza e provave u mbyll në dhjetor 2025 dhe deklaratat përmbyllëse u zhvilluan në shkurt të këtij viti.
Seanca është publike. Transmetimi zyrtar në shqip, anglisht dhe serbisht bëhet me 10 minuta vonesë, ndaj edhe njoftimi publik i vendimit do të mbërrijë me këtë diferencë nga ajo që ndodh brenda sallës.





