
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për “spiunazh” dhe “shantazh”. Sipas aktakuzës, në telefonin e tij është gjetur dokumenti i koduar “Leptiri”, i hartuar nga Sigurimi Shtetëror serb në vitin 2001.
Dokumenti përshkruan një plan për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit përmes presionit, gjatë kohës kur ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë. Synimi dyshohet se ishte detyrimi i Kurtit për të bashkëpunuar me shërbimin serb RDB.
Nga komunikimet e sekuestruara, Prokuroria pretendon se Sheholli ua kishte dërguar dokumentin disa personave dhe kishte kërkuar përkthimin e tij në shqip. Vetë Sheholli, sipas dëshmisë së përfshirë në aktakuzë, ka deklaruar se dokumentin ia kishte dërguar Bojan Dimiq.
Pretendimet e Prokurorisë mbeten për t’u shqyrtuar nga gjykata, ndërsa Sheholli prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar.






