
Këshilli Bashkiak i Poliçanit ka dalë unanimisht kundër projektligjit për ndarjen e re administrative-territoriale, që parashikon shkrirjen e Bashkisë Poliçan dhe bashkimin e saj me Beratin.
Në një mbledhje emergjente të zhvilluar këtë të premte, kryebashkiaku Adriatik Zotkaj kundërshtoi hapur propozimin, duke deklaruar se argumentet e paraqitura për shkrirjen e bashkisë nuk qëndrojnë.
“Do të jetë një turp për Parlamentin nëse voton pro shkrirjes së kësaj bashkie”, deklaroi Zotkaj.
Kryebashkiaku theksoi se një bashkim i tillë duhet të bëhet vetëm me pëlqimin e komunitetit, ndërsa sipas tij qytetarët e Poliçanit janë kundër humbjes së bashkisë së tyre.
Zotkaj argumentoi se Poliçani ka aktualisht 318 biznese, potencial në turizmin malor dhe industrial, si dhe projekte të zbatuara për të rinjtë dhe moshën e tretë. Ai akuzoi gjithashtu se në vlerësimin e bashkive që propozohet të shkrihen janë përdorur standarde të ndryshme.
Gjatë mbledhjes u prezantua edhe raporti i dëgjesave publike të zhvilluara me qytetarët, ku evidentohej kundërshtimi i tyre ndaj propozimit për bashkimin me Beratin.
Por reagimi më i fortë erdhi nga 15 anëtarët e Këshillit Bashkiak, të cilët paralajmëruan se do të japin dorëheqjen nëse Parlamenti miraton shkrirjen e Bashkisë Poliçan.
Në përfundim, të 15 këshilltarët votuan kundër projektligjit për ndarjen e re administrative-territoriale dhe kundër bashkimit të Poliçanit me Beratin.






