
Mbetje kockore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave janë gjetur gjatë gërmimeve në Zubin Potok, ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës.
Zbulimi është bërë gjatë operacionit të gërmimit dhe ekshumimit në disa zona të dyshuara. Sipas vlerësimit paraprak të ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, bëhet fjalë për mbetje të të paktën 23 individëve.
Identiteti i viktimave ende nuk është përcaktuar përfundimisht. Kjo pritet të bëhet pas ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe përfundimit të procedurave përkatëse.
Gërmimet në Zubin Potok po zhvillohen prej javësh në tri lokacione, përfshirë Kalludrën e Vogël dhe Jakubën, pas një hetimi rreth dyvjeçar për dyshime mbi krime lufte.
Prokuroria bën të ditur se për këtë çështje po hetohen tre persona me inicialet J.R., M.J. dhe M.B., të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Të tre ndodhen në paraburgim.
Hetimet dhe kërkimet në terren do të vazhdojnë nga Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.






