
Drejtuesit e mjeteve që do të udhëtojnë në autostradën Tiranë-Durrës duhet të tregojnë kujdes gjatë dy netëve të ardhshme. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar devijimin e përkohshëm të trafikut për shkak të punimeve në mbikalimin e ri të Kasharit.
Më 14 dhe 15 gusht, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të kryhet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit, pjesë e projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)”.
Gjatë punimeve do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës.
Trafiku i mjeteve që udhëtojnë drejt Durrësit do të devijohet në dy korsitë në anën e majtë të autostradës, të cilat gjatë këtij intervali do të funksionojnë përkohësisht me dy drejtime lëvizjeje.
Sipas ARRSH-së, automjetet që kanë destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojnë lëvizjen pa pengesa.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u kërkon drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në zonën ku po kryhen punimet.






