
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd se Ukraina nuk do ta njohë Kosovën, duke kritikuar njëkohësisht reagimet që, sipas tij, kërkojnë që Shqipëria të ndryshojë qëndrim ndaj Kievit.
Rama e cilëson Zelenskyn “miku im i dashur”, por thotë hapur se Ukraina është në gabim për çështjen e Kosovës.
“Ukraina mund të jetë, dhe po, është, gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme”, shprehet Rama.
Kryeministri kritikon ashpër ata që pas deklaratës së Zelenskyt kërkuan që Shqipëria dhe shqiptarët të mos mbështesin më Ukrainën, ndërsa thotë se disa prej tyre arritën deri te mbështetja për Rusinë.
Sipas Ramës, kundërshtimi i agresionit rus nuk mund të kushtëzohet nga qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës.
“Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen”, shkruan kryeministri.
Ai argumenton se mbështetja për Ukrainën lidhet me parimet e lirisë, demokracisë dhe paqes dhe jo me një shkëmbim politik që do të kushtëzohej nga njohja e Kosovës.
“Shqipëria nuk është një njeri i vogël që bën hesapet se kush i detyrohet kujt, por Europa e Ballkanit”, shprehet Rama.
Kryeministri e mbyll reagimin duke nënvizuar se Tirana mund ta kundërshtojë Kievin për Kosovën dhe njëkohësisht të vazhdojë mbështetjen e saj për Ukrainën.
“Prandaj, po: UKRAINË E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë”, përfundon Rama.






