
Tensione të forta kanë përfshirë Kuvendin e Kosovës, ku deputetët e PDK-së dhe Aleancës janë përplasur me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa opozita kërkon vazhdimin e menjëhershëm të seancës konstituive.
Situata ka degraduar edhe në përplasje fizike. Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku dhe ai i Vetëvendosjes Adnan Rrustemi janë shtyrë mes tyre, duke detyruar deputetë të tjerë të ndërhyjnë për të qetësuar situatën.
Tensione pati edhe mes deputeteve Albana Bytyqi të Aleancës dhe Arbërie Nagavci të Vetëvendosjes. Bytyqi e shtyu Nagavcin ndërsa kjo e fundit përpiqej të hynte në sallën e Kuvendit.
View this post on Instagram
Në një tjetër incident, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu hodhi ujë ndaj Donika Gërvallës. Deputetët e opozitës penguan gjithashtu Gërvallën të fliste, duke brohoritur “Demokraci” dhe “UÇK”.
Përplasjet ndodhën ndërsa në Kuvend ishte parashikuar një aktivitet me qytetarët dhe diasporën. Deputetët e PDK-së dhe Aleancës qëndruan në sallë duke kërkuar që kryesuesi Avni Dehari të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive.
PDK-ja argumenton se përfundimi i afatit të përcaktuar për konstituimin nuk e shuan detyrimin për përfundimin e procesit dhe kërkon që deputetëve t’u mundësohet ushtrimi i mandatit.
Nga ana tjetër, Donika Gërvalla deklaroi se, sipas interpretimit të Vetëvendosjes, Kuvendi ka kohë deri më 6 shtator për t’u konstituuar.
“I kemi 30 ditë për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, ky është interpretimi ynë”, tha Gërvalla gjatë një debati me deputetin e PDK-së Përparim Gruda.
Gruda e kundërshtoi këtë qëndrim, duke e cilësuar absurde mundësinë që Gjykatës Kushtetuese t’i kërkohet një interpretim i ri për një çështje për të cilën ajo është shprehur më parë.
Kriza lidhet me ngërçin për konstituimin e legjislaturës së re dhe negociatat për krijimin e institucioneve. Vetëvendosje ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18. Albin Kurti ka kërkuar më shumë kohë për negociata, duke e lidhur marrëveshjen për institucionet edhe me çështjen e zgjedhjes së presidentit.






