
Kriza përfshin tentativën e shitjes së kuotave të Botërorit. Uellsi tërheq mbështetjen për presidentin e FIFA-s, ndërsa presioni europian rritet.
UEFA ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për identifikimin dhe ruajtjen e të gjitha dokumenteve që lidhen me çështjen e tentativës për shitjen e kuotave të Kupës së Botës.
Sipas medias italiane “La Repubblica”, drejtuesit e futbollit europian kanë paralajmëruar edhe mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore, duke kërkuar që asnjë dokument që mund të ketë lidhje me rastin të mos preket ose të asgjësohet.
Zhvillimi shton presionin mbi presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, i cili po përballet me kritika të forta për mënyrën e administrimit të institucionit më të lartë të futbollit botëror.
Ndërkohë, Federata e Futbollit të Uellsit ka tërhequr mbështetjen për Infantinon. Vendimi sinjalizon thellimin e përçarjes mes FIFA-s dhe disa prej federatave europiane.
Deri tani nuk janë bërë publike hollësi të plota mbi dokumentet dhe operacionin financiar që po verifikohet.






