
Kryeministri Edi Rama reagoi pas zhvillimeve të fundit në protestën që ka hyrë në ditën e 15-të, duke akuzuar organizatorët dhe grupet që, sipas tij, po e largojnë lëvizjen nga kauza fillestare dhe po dëmtojnë interesat e Shqipërisë.
Në një reagim të gjatë në rrjetin social X, Rama deklaroi se protesta nuk ka më lidhje me projektet në Sazan dhe Zvërnec, pasi sipas tij dokumentacioni dhe procedurat e ndjekura nga qeveria provojnë se gjithçka është kryer në përputhje me interesin publik dhe standardet ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë shprehu shqetësim për ndikimin që protestat po japin në imazhin e vendit dhe sektorin e turizmit, duke pretenduar se bllokimet e rrugëve dhe perceptimi negativ po sjellin anulime rezervimesh dhe pasiguri për industrinë turistike.
Rama u ndal veçanërisht te marshimi drejt aeroportit dhe autostradës Tiranë-Durrës, duke e cilësuar atë si një akt ekstremizmi që cenon lirinë e lëvizjes së qytetarëve.
“Protesta po degradon në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të këqija”, shkroi ai.
Kryeministri shprehu keqardhje për të rinjtë që i janë bashkuar protestës, duke thënë se shumë prej tyre janë manipuluar nga individë dhe grupe që synojnë destabilizimin dhe dëmtimin e Shqipërisë.
Sipas Ramës, pas protestës qëndrojnë edhe aktorë të infiltruar nga forca destruktive, brenda dhe jashtë vendit, të cilët po përpiqen të shfrytëzojnë pakënaqësitë qytetare për qëllime të tjera.
Ai kritikoi gjithashtu figura publike që kanë mbështetur protestën, duke i akuzuar se po përpiqen të përfitojnë politikisht nga situata.
Megjithatë, kryeministri tha se qeveria do të nxjerrë mësime nga shqetësimet legjitime të qytetarëve dhe do t’i adresojë ato, ndërsa parashikoi se Partia Socialiste do të dalë më e fortë politikisht pas përfundimit të kësaj vale protestash.
“Kur të shpërndahet mjegulla, Partia Socialiste do të shfaqet më e madhe dhe më e fortë në qendër të skenës politike shqiptare”, shkroi Rama.






