
Inteligjenca artificiale po bëhet pjesë dominuese e procesit mësimor në Kosovë. Një studim i realizuar në 47 shkolla publike tregon se më shumë se 93% e nxënësve përdorin platforma si ChatGPT, Gemini dhe Snapchat AI për detyrat dhe mësimet e tyre.
Të dhënat u bënë publike nga drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, gjatë një interviste në “Përballje Podcast”, ku u diskutua për arsimin, sigurinë në shkolla dhe ndikimin e inteligjencës artificiale.
Sipas Ahmetit, studimi përfshiu mbi 1.500 nxënës nga nivele të ndryshme të arsimit parauniversitar dhe rezultatet tejkaluan pritshmëritë.
“Kam pritur që rreth 70% e nxënësve të deklaronin se përdorin inteligjencën artificiale, por në shumë klasa vetëm dy ose tre nxënës thoshin se nuk e kishin përdorur kurrë”, deklaroi ai.
Rezultatet tregojnë se 93.2% e nxënësve përdorin inteligjencën artificiale për qëllime shkollore, ndërsa platforma më e përdorur mbetet ChatGPT, e ndjekur nga Snapchat AI dhe Google Gemini.
Nxënësit deklarojnë se i përdorin këto mjete kryesisht për kërkime, zgjidhjen e detyrave, shpjegimin e koncepteve dhe përgatitjen e materialeve mësimore.
Sipas studimit, matematika dhe shkencat natyrore janë lëndët ku inteligjenca artificiale përdoret më shpesh, pasi konsiderohen ndër më sfidueset për nxënësit.
Megjithatë, Ahmeti paralajmëroi se përdorimi i pakontrolluar i AI-së mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e mendimit kritik dhe pavarësisë së nxënësve.
“Mbi 80% e nxënësve thonë se e kanë të vështirë ta imagjinojnë kryerjen e detyrave pa inteligjencën artificiale”, tha ai.
Eksperti vuri në dukje se institucionet arsimore ende nuk kanë një udhëzim të qartë për mënyrën se si duhet të përdoret inteligjenca artificiale në shkolla, duke kërkuar hartimin e një doracaku praktik dhe trajnimin e mësimdhënësve.
“Nuk është më pyetja nëse do të përdoret apo jo AI. Sfida tani është të përcaktohet mënyra e duhur e përdorimit të saj”, theksoi Ahmeti.






