
Qeveria britanike pritet të shpallë një nga masat më të ashpra në botë ndaj rrjeteve sociale, duke ndaluar aksesin e fëmijëve nën 16 vjeç në platforma si TikTok, Instagram, Snapchat, Facebook dhe X.
Kryeministri britanik Keir Starmer pritet të prezantojë planin e ri për sigurinë online të fëmijëve, duke argumentuar se sistemi aktual ka dështuar në mbrojtjen e të miturve nga dëmet e shkaktuara nga përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale.
“Do t’i japim fund një sistemi që po i dështon fëmijët tanë dhe do të marrim masa të guximshme për t’u dhënë atyre fillimin më të mirë të mundshëm në jetë”, deklaroi Starmer.
Sipas planit, të rinjtë nën 16 vjeç nuk do të lejohen të përdorin platformat kryesore sociale, ndërsa po shqyrtohen edhe kufizime shtesë për adoleshentët më të rritur, përfshirë orare të detyruara mbylljeje gjatë natës dhe kufizime për përdorimin e chatbotëve me inteligjencë artificiale.
Modeli britanik është frymëzuar nga Australia, e cila në fund të vitit 2025 u bë vendi i parë në botë që ndaloi rrjetet sociale për të gjithë përdoruesit nën 16 vjeç.
Megjithatë, burime qeveritare britanike kanë bërë të ditur se Londra synon të shkojë edhe më tej se Canberra, me masa që janë cilësuar si “Australia Plus”.
Nëse miratohet, ndalimi do të prekë platforma të njohura si TikTok, Snapchat, Instagram, Facebook, Threads, X, Reddit, Twitch, YouTube dhe Kick.
Autoritetet britanike po shqyrtojnë përdorimin e teknologjive të verifikimit të moshës, përfshirë dokumentet zyrtare, njohjen e fytyrës dhe sisteme të inteligjencës artificiale që analizojnë sjelljen online të përdoruesve.
Plani ka marrë mbështetjen e shumicës së prindërve sipas konsultimeve publike, por kritikët paralajmërojnë se masa të tilla mund të krijojnë probleme të reja dhe të kufizojnë aksesin e të rinjve në informacion dhe komunikim.






