Lidhja Demokratike e Kosovës mban këtë të enjte Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku 355 delegatë do të vendosin nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të drejtojë partinë apo do të shkarkohet nga posti i kryetarit.

Kuvendi u thirr pas nismës së ndërmarrë nga qindra delegatë, të cilët kërkuan largimin e Abdixhikut pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, ku LDK u rendit forca e tretë politike me 18 deputetë.

Para nisjes së punimeve, deputeti Armend Zemaj, një nga iniciatorët e nismës, deklaroi se pret që delegatët të votojnë për shkarkimin e Abdixhikut. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, tha se procesi do të zhvillohet në mënyrë demokratike dhe me votim të fshehtë.

Kriza e brendshme në LDK ka ndikuar edhe në bisedimet për formimin e institucioneve të reja të Kosovës. Pas nisjes së procedurës për shkarkimin e tij, Abdixhiku pezulloi negociatat me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për krijimin e shumicës së re qeverisëse, duke argumentuar se nuk mund të përfaqësonte partinë ndërkohë që mandati i tij ishte vënë në diskutim.

Nëse Abdixhiku siguron votëbesimin e delegatëve, ai do të vazhdojë të drejtojë LDK-në. Në të kundërt, sipas statutit të partisë, brenda 60 ditësh duhet të thirret një kuvend i ri për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Zhvillimet në LDK vijnë vetëm pak ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është caktuar më 6 gusht dhe pritet të jetë vendimtare për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu