
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, deklaroi se hetimi ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku është aktualisht çështja me prioritetin më të lartë për SPAK.
Në takimin e parë me gazetarët, ku prezantoi bilancin e institucionit për periudhën 1 janar – 15 korrik 2026, Braho tha se në këtë dosje janë angazhuar 9 oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe 2 prokurorë, për shkak të kompleksitetit dhe nivelit të lartë të subjektit nën hetim.
Ai bëri të ditur se hetimet vijojnë me intensitet, ndërsa janë kryer dhe po kryhen një numër i madh veprimesh hetimore.
I pyetur nëse SPAK do t’i drejtohet sërish Kuvendit me një kërkesë për arrestimin e Ballukut, pas rrëzimit të kërkesës së parë nga Parlamenti, Braho tha se një vendim i tillë do të varet nga provat dhe rrethanat e reja që do të dalin gjatë hetimit.
“Nëse do të bëhet apo jo një kërkesë e re, kjo do të jetë një vendimmarrje e përbashkët. Ajo do të varet nga rrethanat e reja që kanë dalë ose që mund të dalin gjatë hetimit, por edhe nga vendimi që ka marrë Parlamenti”, u shpreh ai.
Braho theksoi se refuzimi i Kuvendit nuk i ka penguar hetimet, të cilat sipas tij kanë vazhduar dhe janë zgjeruar më tej.
Lidhur me imunitetin e deputetëve, kreu i SPAK u shpreh se ai nuk e pengon hetimin, por shtoi se, sipas tij, është një garanci e panevojshme në një shoqëri demokratike.
Gjatë konferencës, Braho foli edhe për çështje të tjera të rëndësishme. Ai njoftoi se SPAK ka kërkuar sekuestrimin e dy avionëve dhe të çdo pasurie në Francë të biznesmenit Ermal Beqiri, i arrestuar pasi fluturoi mbi një central bërthamor në Francë.
Po ashtu, bëri të ditur se kallëzimi i Kuvendit ndaj deputetit Agron Shehaj për marrjen e dokumentit të klasifikuar është në fazën e verifikimit.
Për hetimin e masakrës së 21 Janarit, Braho tha se SPAK është në pritje të ekspertizës nga Shtetet e Bashkuara për audio-regjistrimin ku dyshohet se është dhënë urdhri për të qëlluar mbi protestuesit.
Ndërsa për çështjen e Zvërnecit, ai konfirmoi se hetimet vazhdojnë dhe se SPAK ka regjistruar një fakt penal që lidhet me tjetërsimin e pronave.
Sipas bilancit të prezantuar nga Braho, gjatë shtatë muajve të parë të vitit SPAK ka hetuar 16 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, ndërsa ka vendosur në sekuestro pasuri me vlerë rreth 440 milionë euro.






