Gazment Bardhi e ka nisur sesionin e ri parlamentar me një lumë akuzash ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës, duke e përqendruar fjalën te audioregjistrimet e publikuara nga Arben Ahmetaj dhe kompania shtetërore KAYO.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së pretendoi nga foltorja e Kuvendit se kompanitë shtetërore po përdoren për të kaluar para dhe pasuri publike te privatë të përzgjedhur.

“Edi Rama merr vendimet. Njerëzit e tij, herë me emrin Gys Agasi, herë me emrin Ron Jefet, bëjnë pazaret”, deklaroi Bardhi.

Ai u ndal veçanërisht te KAYO dhe bashkëpunimi i saj me Timak Defense, duke iu referuar edhe audioregjistrimeve të publikuara një natë më parë nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Sipas Bardhit, në regjistrime Ron Yeffet dëgjohet duke diskutuar për marrëveshje armësh me shtetas ukrainas. Kreu i grupit demokrat kërkoi sqarime nga qeveria për aktivitetin dhe marrëdhëniet e kompanive të përfshira.

Por Bardhi pretendoi se modeli që ai e quan “KAYO” mund të shtrihet tashmë edhe në një tjetër sektor me miliarda lekë: shëndetësinë.

Sipas tij, po projektohet krijimi i një strukture që do të përqendrojë në një dorë blerjen e pajisjeve mjekësore, magazinimin, shpërndarjen dhe tenderat e spitaleve. Bardhi përmendi në këtë pjesë edhe biznesmenin Sani Sanilevich, duke pretenduar se ai ka interesa për të hyrë në këtë sektor.

“Ndryshon sektori, ndryshon emri i mikut, por mekanizmi mbetet i njëjtë: Edi Rama bën pazarin, qeveria përgatit ligjin dhe ju e ktheni në ligj pazarin e tij privat”, deklaroi Bardhi.

Kreu i grupit të PD-së sulmoi gjithashtu mazhorancën për ligjin e investimeve strategjike, çështjen e Belinda Ballukut dhe konfliktin mes dy biznesmenëve në zonën e Orikumit.

Në fund, Bardhi nuk kurseu as ironinë ndaj deputetëve socialistë, duke iu referuar takimeve të tyre me qytetarët.

“Merrni bllokun në dorë, ulni kokën të turpëruar dhe shkoni në orën dhe në vendin që ju cakton Edi Rama”, tha ai, duke shtuar se deputetët e mazhorancës “e meritojnë të bëhen kaq qesharakë”.

Pretendimet për skema korruptive, pazare armësh apo favorizim të personave privatë janë akuza të Bardhit dhe të opozitës dhe nuk përbëjnë në vetvete prova për kryerjen e veprave penale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu