Filmi i ri i regjisorit fitues të çmimit Oscar, Christopher Nolan, “The Odyssey”, ka marrë vlerësime entuziaste nga kritikët në mbarë botën, vetëm pak ditë para daljes në kinema.

I bazuar në poemën epike të Homerit, filmi rrëfen udhëtimin e gjatë të Odiseut pas Luftës së Trojës, me Matt Damon në rolin kryesor. Në kast marrin pjesë edhe Zendaya, Tom Holland, Anne Hathaway, Robert Pattinson, Charlize Theron dhe Lupita Nyong’o.

“The Telegraph” e ka cilësuar “filmi i vitit”, ndërsa “Metro” shkruan se “do ta ndryshojë kinemanë përgjithmonë”. Edhe “The Times” e përshkruan si “një kryevepër në çdo aspekt”, ndërsa “Evening Standard” e quan “një vepër kolosale kinematografike”.

Kritikët kanë vlerësuar veçanërisht skenat spektakolare, realizimin vizual dhe interpretimin e aktorëve. Matt Damon është cilësuar “i jashtëzakonshëm”, ndërsa Tom Holland ka marrë lëvdata për performancën e tij më të pjekur në karrierë.

Filmi është xhiruar tërësisht me kamera IMAX dhe ka pasur një buxhet prej rreth 250 milionë dollarësh. Universal Pictures shpreson të përsërisë suksesin e “Oppenheimer”, i cili arkëtoi afro 1 miliard dollarë në mbarë botën.

Megjithatë, disa kritikë vunë re vështirësi në dëgjimin e dialogëve, një kritikë e përsëritur ndaj filmave të Nolan, si edhe përdorimin e disa shprehjeve moderne që, sipas tyre, nuk përshtaten plotësisht me epokën antike.

“The Odyssey” del në kinematë britanike më 17 korrik dhe konsiderohet një nga premierat më të mëdha të vitit 2026.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu