Sulmet e fundit amerikane ndaj ishujve iranianë Qeshm, Kish dhe Abu Musa kanë rikthyer spekulimet nëse Uashingtoni po përgatitet për të marrë nën kontroll territore iraniane në Gjirin Persik.

Sipas një analize të Al Jazeera, ekspertët ushtarakë vlerësojnë se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetin ushtarak për të pushtuar disa ishuj të vegjël iranianë, por mbajtja e tyre nën kontroll do të ishte shumë më e vështirë dhe me kosto të lartë.

Andreas Krieg, profesor i studimeve të sigurisë në King’s College London, thotë se SHBA mund të realizojë një operacion amfib falë epërsisë ajrore dhe detare, por çdo territor i marrë do të mbetej vazhdimisht nën goditjen e raketave, dronëve dhe artilerisë iraniane.

Sipas tij, një operacion i kufizuar do të kërkonte të paktën 5 deri në 10 mijë ushtarë, ndërsa një fushatë më e gjerë do të përfshinte një angazhim shumë më të madh ushtarak dhe logjistik.

Edhe profesori Nader Hashemi nga Universiteti Georgetown shprehet skeptik se Uashingtoni do të ndërmarrë një pushtim të tillë. Sipas tij, kostoja politike dhe ushtarake do të ishte shumë e lartë, veçanërisht për administratën Trump, duke sjellë krahasime me luftën në Irak.

Analistët theksojnë se edhe nëse SHBA do të merrte nën kontroll disa ishuj, Irani do të vazhdonte të kishte mundësi të godiste trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit nga territori i tij kontinental. Për ta neutralizuar plotësisht këtë kërcënim, do të nevojitej një ofensivë shumë më e gjerë tokësore përgjatë bregdetit jugor iranian, çka do ta shndërronte konfliktin në një luftë të hapur.

Ekspertët paralajmërojnë se një pushtim i ishujve iranianë do të rriste më tej tensionet në Lindjen e Mesme, do të rrezikonte transportin ndërkombëtar të naftës dhe do të ushtronte presion mbi marrëdhëniet e SHBA-së me vendet e Gjirit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu