Një zjarr i rëndë në një ndërtesë në ndërtim në qendër të Brukselit ka shkaktuar një tragjedi, ku disa persona janë gjetur të pajetë në boshtin e ashensorit, ndërsa të paktën gjashtë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Flakët përfshinë kullën Oxy Tower, një kompleks që po ndërtohet pranë sheshit historik Grand Place dhe që do të përfshijë apartamente, hotel, restorante dhe bare.

Zjarri u vu nën kontroll në një kohë të shkurtër, por gjatë kontrollit të godinës zjarrfikësit zbuluan se flakët ishin përhapur edhe në boshtet e ashensorëve, ku dy kabina kishin mbetur të bllokuara.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Punës në Bruksel, Brecht Speybrouck, bëri të ditur se në një prej ashensorëve u gjetën “disa viktima”, ndërsa numri i saktë ende nuk është konfirmuar.

“Nuk e dimë ende nëse janë gjashtë personat e zhdukur apo nëse ka edhe viktima të tjera në ashensorin tjetër ose në pjesë të tjera të ndërtesës”, deklaroi ai.

Operacioni për nxjerrjen e trupave vijon, por autoritetet paralajmërojnë se ndërhyrja është tepër e vështirë për shkak të rrënojave dhe temperaturave të larta.

Nga zjarri kanë mbetur të plagosur rëndë edhe dy persona, të cilët janë transportuar në spital me djegie, ndërsa një zjarrfikës mori ndihmë mjekësore pasi u ekspozua ndaj temperaturave ekstreme.

Në vendngjarje mbërritën edhe kryeministri belg Bart De Wever dhe Mbreti Philippe, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e zjarrit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu