Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas incidentit të ndodhur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku u përfshi në një përplasje me gazetarin Marsel Rupi dhe aktivistin Arjan Koçi, i njohur në rrjetet sociale si Ari Shady.

Në një deklaratë publike, Braçe mohoi se ka tentuar të godasë gazetarin, duke thënë se vetëm e shtyu për të krijuar distancë, ndërsa e akuzoi atë dhe aktivistin se organizojnë “prita” dhe sulme ndaj deputetëve socialistë.

“Ky është fashizëm”, shkruan Braçe, duke pretenduar se më herët gjatë ditës gazetari dhe aktivisti kishin sulmuar verbalisht deputetët Sara Mile dhe Ervin Hoxha, ndërsa më pas po prisnin edhe deputetë të tjerë pranë hyrjes së Kuvendit.

Sipas deputetit socialist, ai i pa të dy duke biseduar jashtë Kuvendit dhe, kur doli nga godina, ata u drejtuan drejt tij.

“I kam thënë gazetarit që e kam respektuar gjithmonë se kur del në pritë me sulmues nuk ke punë me mua. Po, e kam shtyrë pasi më erdhi në fytyrë, ndërsa sulmuesi vazhdonte të shante”, shkruan Braçe.

Deputeti theksoi se nuk ka ndërmend të kërkojë ndjesë për incidentin.

“Unë e kam pjesë të karakterit të kërkoj ndjesë. Por kujt t’i kërkoj ndjesë, gazetarit apo sulmuesit? U bë kohë që janë një, sulmues e të dhunshëm”, deklaroi ai.

Braçe publikoi edhe video që, sipas tij, tregojnë momentet kur gazetari Marsel Rupi dhe aktivisti Arjan Koçi ndodheshin pranë Kuvendit, duke pretenduar se po organizonin sulme ndaj deputetëve të PS-së.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu