Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë shkëmbyer akuza të forta pas mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Europian, zhvilluar në Strasburg, duke paraqitur versione të ndryshme mbi arsyet pse nuk u arrit një rezolutë e përbashkët.

Sipas Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputetët socialistë dhe eurodeputetët votuan në mbështetje të rekomandimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike, sipas PS-së, “votuan kundër Shqipërisë në BE”.

Në reagimin e saj, PS thekson se nuk paraqiti amendamente në tekstin e propozuar nga Sekretariati i Komitetit, pasi atij i ishin bashkëngjitur Rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe rezoluta e miratuar me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë për procesin e integrimit.

Sipas socialistëve, një pjesë e amendamenteve të propozuara nga Partia Demokratike u mbështetën dhe u votuan edhe nga përfaqësuesit e PS-së, ndërsa u refuzuan vetëm formulimet që, sipas tyre, nuk pasqyronin frymën e një dokumenti të përbashkët dhe shmangnin referencat për progresin e njohur nga Komisioni Europian në procesin e negociatave.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike deklaroi se nuk u arrit konsensus për rezolutën, pasi mazhoranca socialiste refuzoi mbi 30 amendamente të paraqitura nga opozita, të cilat, sipas saj, kishin marrë mbështetje edhe nga eurodeputetët pjesëmarrës në Komitet.

PD tha se amendamentet kishin të bënin me luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit të së drejtës, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve.

Demokratët theksuan se mbështesin procesin e integrimit europian të Shqipërisë, por argumentuan se anëtarësimi në Bashkimin Europian kërkon reforma konkrete dhe përmbushjen e standardeve, jo vetëm deklarata politike.

Debati mes dy forcave politike vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, ndërsa secila palë akuzon tjetrën për pengimin e konsensusit në një çështje që konsiderohet me interes kombëtar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu