Vendimi i rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, për pezullimin e përkohshëm të dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, po shoqërohet me kritika të forta dhe akuza për përdorim personal të pushtetit brenda universitetit.

Në vendimin zyrtar të firmosur nga rektori, argumentohet se pezullimi lidhet me kandidimin e Dorina Hoxhës për anëtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me arsyetimin e shmangies së konfliktit të interesit gjatë procedurës së përzgjedhjes.

Por kundërshtarët e këtij vendimi e konsiderojnë atë të pabazuar dhe politikisht të motivuar. Sipas tyre, universiteti nuk mund të funksionojë mbi vullnetin personal të rektorit, ndërsa pezullohet një dekane e zgjedhur me votë nga pedagogët dhe studentët.

“Nuk e kontrollon dot”, është një nga komentet që po qarkullon mes kritikëve të vendimit, të cilët pretendojnë se përplasja lidhet me refuzimin e Dorina Hoxhës për të firmosur emërime apo procedura të kontestuara brenda fakultetit.

Sipas këtyre qëndrimeve, konflikti mes palëve ka kohë që ekziston dhe lidhet edhe me akuza për ndikim në emërime akademike, doktoratura dhe vendimmarrje të brendshme në universitet.

Kritikët ngrenë gjithashtu pikëpyetje mbi bazën ligjore të pezullimit, duke argumentuar se raste të tilla parashikohen vetëm në situata të qarta si procedimi penal apo pamundësia ligjore për ushtrimin e detyrës. Ata theksojnë se edhe në këto raste drejtimi i fakultetit duhet t’i kalojë zv.dekanit dhe jo figurave të emëruara përkohësisht.

Debati tashmë ka kaluar kufijtë e një konflikti personal mes dy drejtuesve akademikë, duke ngritur shqetësime mbi autonominë universitare, kufijtë e pushtetit të rektorit dhe mënyrën si administrohen institucionet publike të arsimit të lartë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu