Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se personat që ushtruan dhunë ndaj Policisë së Shtetit gjatë protestës së fundit nuk mund të konsiderohen protestues, por vandalë që do të përballen me drejtësinë.

Gjatë një vizite në Drejtorinë Vendore të Policisë në Elbasan, Lamallari tha se nga pamjet filmike dhe provat e administruara rezulton se efektivët e policisë janë goditur me gurë dhe sende të forta, ndërsa janë dëmtuar edhe automjete të policisë dhe prona publike.

“Një grup, një grusht personash, të cilët me gurë në duar dhunojnë punonjësit e zbatimit të ligjit, çdo punonjës tjetër që kalon aty pranë dhe dëmtojnë pasurinë publike, në fakt nuk janë protestues. Ata janë thjesht vandalë”, u shpreh ministri.

Lamallari tha se ka parë nga afër efektivë të plagosur, mes tyre një polic me dëmtime të rënda në kokë, ndërsa theksoi se sulmet janë dokumentuar me pamje video.

Sipas tij, gjatë protestës u sulmuan jo vetëm punonjësit e Policisë së Shtetit, por edhe deputetë të Kuvendit, gazetarë dhe automjete policie.

“Është shumë e qartë që ata po dhunonin punonjësit e Policisë me gurë dhe sende të forta, po intimidonin deputetët e Parlamentit shqiptar dhe po dhunonin edhe gazetarë. Ata nuk kanë të bëjnë fare me protestën”, deklaroi ministri.

Gjatë vizitës në Elbasan, Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inauguroi ambientet e rikonstruktuara të Drejtorisë Vendore të Policisë, duke theksuar se investimi përmirëson kushtet e punës për 332 punonjës dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu